Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në një adresim të bërë para ambasadorëve të shtetit të tij nëpër botë, ka folur edhe për zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe specifkisht dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë. Presidenti francez ka paralajmëruar se Parisi dhe Berlini zyrtar mund të “rishikojnë politikën e vizave” nëse Kosova dhe Serbia s’do të veprojnë me përgjegjësi karshi kërkesave ndërkomëbtare për dialogun dhe veriun. Shefi i shtetit francez ka thënë se bashkë me Gjermaninë do të qëndrojnë vigjilent karshi kësaj çështje dhe në përgjithësi për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Lidhur me këtë deklaratë të preisdnetit të Francës dhe përmendjes së Gjermanisë, Gazeta Express ka dërguar pyetje në adresë të Qeverisë Federale që drejtohet nga kancelari Olaf Scholz. Një zëdhënës i Qeverisë Gjermane i ka thënë Gazetës Express se nuk do të komentojnë lidhur me deklaratat e bëra nga Presidenti i Francës, apo rreth përmbajtjes së diskutimeve në mes të Scholz dhe Macron.
“Kërkojmë mirëkuptimin tuaj që nuk do të komentojmë komentet e presidentit Macron apo përmbajtjen e bisedimeve mes kancelarit Scholz dhe presidentit Macron”, ka thënë për Express një zëdhënës i Qeverisë Gjermane.
Sa i përket hapave të nevojshëm për de-eskalim në veri të Kosovës, nga Berlini zyrtar thotë se Gjermania në mënyrë të përsëritur ka kërkuar nga të dy vendet, Kosova dhe Serbia, që të marrin veprimet e nevojshme dhe që në mënyrë të shpejtë t’i kthehen punës për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit në rrugën drejt normalizimit.
Gjithashtu kanë potencuar se deklarata e 3 qershorit e bërë nga Bashkimi Evropian, e ku paralajmërohen masa në rast të dështimit për de-eskalim, mbetet valide.
“Lidhur me hapat e nevojshëm për uljen e tensioneve në veri të Kosovës, Gjermania vazhdimisht i ka kërkuar Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin hapat e nevojshëm dhe të riangazhohen shpejt për të punuar për zbatimin e Marrëveshjes në rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e arritur më 27 janar dhe 18 shkurt 2023. Në këtë kontekst, deklarata e BE-së e 3 qershorit gjithashtu mbetet e vlefshme”, kanë thënë nga Qeveria Gjermane për Gazetën Express.
Në deklaratën e BE-së të lëshuar më 3 qershor ishte thënë se BE-ja është e gatshme për masa nëse dështohet të de-përshkallëzohet situata.
“Bashkimi Evropian është i gatshëm të zbatojë masa të vendosura. Dështimi për të de-përshkallëzuar tensionet do të çojë në pasoja negative”, thuhet mes tjerash në deklaratën e 27 shteteve anëtare të BE-së.
Lidhur me paralajmërimin e preisdnetit të Francës ka folur sot edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ajo ka thënë se nëse pezullohet liberalizim i vizave atëherë një gjë e tillë do të nënkuptonte “vrasje të dialogut” një herë e përgjithmonë.