Numri i madh i aksidenteve në trafik po vazhdon të jetë shqetësues. Çdo ditë raportohet për aksidente të shumta në komunikacion dhe në të shumtën e rasteve shkaktohen si pasojë e pakujdesisë së shoferëve gjatë vozitjes, duke rrezikuar kështu jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve tjerë në trafik, raporton Gazeta Sinjali.
Një aksident trafiku ka ndodhur edhe mbrëmë në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Prishtinë, ku një veturë ka goditur një trotinet elektrik.
Burimet brenda Emergjencës kanë bërë me dije se shoferi i trotinetit ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe ndodhet në rrezik për jetën.
Ndërsa shoferi që dyshohet se shkaktoi aksidentin ka ikur nga vendi i ngjarjes, posa e ka përplasur 24-vjeçarin, që ishte duke lëvizur në atë pjesë.
Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Policia, ku janë kryer ekzaminimet e nevojshme, ndërsa kanë nisur hetimet për identifikimin e të dyshuarit.