Rusia ka reaguar ashpër në lidhje me planin e Shteteve të Bashkuara për të dërguar armë bërthamore në Britaninë e Madhe. Përfaqësuesi i Përhershëm i Moskës në Kombet e Bashkuara, Gennady Gatilov, tha për median shtetërore ruse, Russia-24, se janë duke e monitoruar situatën nga afër.
“Ne po flasim për riaktivizimin e një baze ajrore me armë bërthamore amerikane në Britaninë e Madhe, flitet edhe për mundësinë e dërgimit të armëve bërthamore në shtetet baltike dhe në Poloni. E gjithë kjo krijon një situatë të tensionuar. Ne po monitorojmë se si po shkojnë zhvillimet në këtë drejtim. Sigurisht, nëse është kështu, Rusia do të detyrohet për të reaguar ndaj kësaj në përputhje me rrethanat”, tha Gennadi Gatilov, përfaqësuesi i Përhershëm i Moskës në Kombet e Bashkuara.
Reagimet e Ambasadorit rus, vijnë disa ditë pasi media britanike, The Telegraph raportoi, duke cituar dokumente të Pentagonit, se SHBA-ja planifikon të vendosë armë bërthamore – rreth tri herë më e fortë se bomba e Hiroshimës – në një stacion të Forcave Ajrore Mbretërore 100 kilometra në veri të Londrës.
Në një reagim për Newsweek, qeveria e Londrës nuk ka pranuar të komentojë për pretendimet e Ambasadorit rus. Reagimet dhe kundër reagimet midis Moskës dhe Washingtonit, vijnë në momentin kur Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin pritet të vizitojë, Turqinë, aleatin e Shteteve të Bashkuara në NATO.
Data për vizitën e Putin në Turqi nuk është zyrtarizuar, por Ministri i Jashtëm turk, citoi për mediat vendase, se takimi do të mbahet për krizën e grurit dhe konfliktin e tejzgjatur midis Izraelit dhe Hamasit.