Zyra e Prokurorisë Publike Federale në Gjermani ka njoftuar se ka arrestuar një qytetar më shtetësi gjermane dhe kosovare, të identifikuar si Etrit P.
I dyshuari thuhet se është përkrahës i organizatës terroriste “Shteti Islamik” dhe dyshohet për dy vepra, përkrahjen e një grupi terrorist dhe përgatitjen e një veprimi serioz të dhunshëm që do të mund të rrezikonte shtetin.
“Etrit P. përfaqëson ide radikale islamike dhe identifikohet me veprime të dhunshme si ato të “Shtetit Islamik”. Në veçanti, ai mbështet sulmet terroriste të kësaj organizate, që janë kryer edhe në Evropë. Nën ndikimin e një mbështetësi, që përhap material propagandistike të IS përmes një shërbimi të mesazheve dhe bën thirrje për pjesëmarrje në xhihad, i dyshuari, i cili është i ri, kishte planifikuar një sulm në Republikën Federale të Gjermanisë në emër të organizatës. Për të zbatuar këtë veprim, ai ishte mësuar se si të ndërtonte një mjet shpërthyes dhe ndezës. Etrit P. kishte frikë se planet e tij për sulm mund të prisheshin, kështu që ai vendosi të sulmonte policët me thikë”, shkruan mes tjerash në komunikatën e Prokurorit të Përgjithshëm.
Siç raportohet, i dyshuari është dërguar në paraburgim, me urdhër të gjyqtarit Gjykatën Federale të Drejtësisë.