Sot u raportua për një rast të ngacmimit seksual të një 15-vjeçareje në Gjakovë, e cila dyshohet se u ngacmua që dy vite me radhë nga një 43-vjeçar. Rasti u zbulua pasi vajza u përballë me të dyshuarin gjatë ditës së djeshme dhe e raportoi ngjarjen në Polici.
Si rezultat, burri i dyshuar u arrestua dhe ndaj tij kanë nisur hetimet.
Burimet e Sinjalit nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Genc Palokajn, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor, për veprën penale “Ngacmim seksual.
Si ndodhi rasti, detajet e tjera
Rasti i djeshëm dyshohet se ndodhi në orët e pasdites në rrugën “Mic Sokoli” në Gjakovë, kur Palokaj dyshohet se e përcjelli të miturën, duke e ngacmuar seksualisht, derisa ajo ishte me një familjare.
Përballë kësaj situate, ajo vendosi që ta raportojnë atë se çfarë i kishte ndodhur, me ç’rast në prani të prindit, vajza e ka zbuluar se i dyshuari po e ngacmon në mënyrë sistematike që dy vite me radhë.
Denoncimi i të miturës bëri që Prokurori i Shtetit të urdhërojë arrestimin dhe ndalimin e të dyshuarit, i cili është intervistuar para hetuesve policorë, me ç’rast është përballur e dyshimet e ngritura kundër tij.
Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që ngacmon seksualisht personin tjetër, në veçanti personin i cili është i ndjeshëm për shkak të moshës, sëmundjes, paaftësisë, varësisë, shtatzënisë, paaftësisë së rëndë fizike apo mendore, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tri (3) vjet.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.