Pak ditë pasi ka nisur afati për riregjistrimin e veturave me targa me akronime të qyteteve të Kosovës, të lëshuara nga Serbia, është sulmuar shtëpia e një zyrtari policor që ka ndërruar targat në RKS, raporton Gazeta Sinjali.
Siç njofton sinjalizuesi nga Veriu dikush ka hapur zjarr në shtëpinë e policit (emër i njohur për redaksinë) në fshatin Dobravë, afër Leposaviqit. Në bazë të informacioneve të para, një person i dyshuar fillimisht ka hyrë në shtëpinë e zyrtarit me synimin për të plaçkitur, po më pas ka ndezur zjarr, duke shkaktuar dëme materiale.
Motiv i këtij sulmi, sipas sinjalizuesit është ndërrimi i targave të veturës së policit në RKS, ashtu siç është e paraparë në vendimin e Qeverisë së Kosovës, që ka nisur të zbatohet më 1 shtator.
Lidhur me këtë rast, Sinjali mëson se njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërkohë që me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Zjarrvenie”.