Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan është duke qëndruar në Serbi.
Gjatë vizitës së tij në Beograd, Erdogan deklaroi se është i gatshëm të ofrojë mbështetje për arritjen e një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë.
Presidenti i Turqisë foli edhe për marrëveshjen për dokumentet, nga ku u shpreh i kënaqur me arritjen e kësaj marrëveshje.
“Jemi shumë të kënaqur që është arritur marrëveshja për kalimin e kufijve me letërnjoftime vetëm ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, ka thënë Erdogan.
Ai gjithashtu tha se shpreson që do të arrihet edhe marrëveshja për targat.
“E sa i përket targave, shpresoj që të arrihet një marrëveshje sa më shpejt, si dhe për çështje të tjera problematike”, ka thënë presidenti turk.
Presidenti turk është duke vizituar disa shtete të Ballkanit Perëndimor, por në këtë agjendë nuk është edhe Kosova.
Ky zhvillim erdhi pas takimit të 18 gushtit në Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në kuadër të procesit të dialogut.