Nisma legjislative e qytetarëve të Kosovës të cilët kanë nënshkruar peticionin për projektligjin për Trustin pritet të trajtohet në Kuvend në sesionin vjeshtor.
Derisa deputetët, pritet t’i kthehen punës më 12 shtator (e hënë).
Që kjo nismë duhet të trajtohet në Kryesi në mbledhjen e parë e thotë edhe inicuesi i kësaj nisme, Bekim Haxhiu.
Haxhiu, thotë për Front Online se është obligim kushtetues dhe ligjor që kjo nismë të procedohet menjëherë për mendim në Qeveri e pastaj t’ i hapet rrugë për miratim në Kuvend.
“Është obligim Kushtetues dhe Ligjor që Kryesia e Kuvendit në takimin e parë te sesionit vjeshtor Nismën Legjislative te Qytetarëve me mbi 21 mijë nënshkrime për Projektligjin për Trustin ta procedoj për mendim në Qeveri, për t’i hapur pastaj rrugën miratimit në Kuvend”, ka thënë deputeti Haxhiu, për Front Online.
Ai nuk ka treguar se cili është disponimi i deputetëve për ta votuar këtë nismë, pasi që e njëjta në sesionin pranveror dështoi.
Kjo, pasi që ky projektligj nuk mori votat e mjaftueshme.
Më 15 korrik të këtij viti, në Kuvendin e Kosovës ishin dorëzuar nënshkrimet e peticionit për nismën legjislative qytetare për Projektligjin për Trust-in, i cili do tu mundësonte qytetarëve tërheqjen e një pjese të parave nga Fondi i Kursimeve Pensionale.
Të njëjtat nënshkrime iu janë nënshtruar verifikimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Këtë e ka bërë të ditur për Front Online muajin e kaluar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Ai tha se nënshkrimet janë verifikuar në bazë të listës së fundit të votuesve.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka verifikuar listën e nënshkrimeve në raport me listën e fundit të votuesve, e cila i takon Zgjedhjeve Lokale të 17 tetorit 2021 dhe të cilën e posedon KQZ-ja”, u shpreh ai.
Lexo edhe: Përleshje në Ferizaj: 31-vjeçari tenton ta vras shokun, e akuzon se është në lidhje me të dashurën e tij
Elezi tha se për verifikimin e nënshkrimeve, javën e kaluar e kanë njoftuar edhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcën.
“Lidhur me këtë, të enjten e javës së kaluar kemi informuar zyrtarisht Kryetarin e Kuvendit të Kosovë”, tha ai.
Qeveria e Kosovës ka afat 30 ditor për të dhënë mendimin për këtë projektligj.
Pas ditës së 30-të projektligji kthehet në Kuvend në procedurë parlamentare dhe trajtohet sipas procedurës për miratimin e ligjeve në lexim të parë dhe të dytë.
Ndryshe, partitë opozitare Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kanë përkrahur këtë projektligj.