Ngatërresat familjare shpesh herë përfundojnë me sharje, ofendime e kërcënime mes njëri-tjetrit. Mirëpo ka raste të shumta kur ato eskalojnë në dhunë fizike, duke u dashur kështu patjetër ndërhyrja e Policisë për të zgjidhur problemet.
Një rast i tillë i rëndë ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në fshatin Klinafc të Klinës, ku një person dyshohet se e ka sulmuar fizikisht vëllain e tij me të cilin jetojnë në shtëpi të ndara.
Sinjali mëson se gjithçka ka ndodhur pasi viktima teksa po konsumonin alkool me një mysafir të tij dhe po dëgjonin muzikë me zë të lartë, aty kishte shkuar i dyshuari i cili fillimisht e ka ndalur muzikën e më pas e ka sulmuar duke e goditur me boks vëllain e tij.
30-vjeçari është dërguar në spital si pasojë e lëndimeve të marra, ku sipas burimeve të Sinjalit brenda Emergjencës, i njëjti ka pësuar lëndime serioze dhe ka dy dhëmbë të thyer.
Nga përleshja lëndime ka pësuar edhe vetë i dyshuari dhe dëshmitari i cili kishte hyrë në mes të vëllezërve për t’i ndarë dhe të parandalojë konfliktin.
Ndërkohë rasti është raportuar edhe në Polici, të cilët kanë arrestuar palët e përfshira në rast dhe ndaj tyre është iniciuar rasti ‘Lëndim i rëndë trupor’.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që dy vëllezërve t’u caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.