Ish-kryeministri Isa Mustafa ka deklaruar sonte se vetëmenaxhimi i komunitetit serb në Kosovë, bazuar në planin e BE-së, është më shumë sesa Asociacioni.
Kësisoj, ish-kryetari i LDK-së thotë se kryeministri Albin Kurti po themelon diçka edhe më të keqe sesa ai Asociacion që është paraparë në marrëveshjen e vitit 2013.
“Është një komponentë shtesë sepse Asociacioni është kuptuar si organizim i komunave me shumicë serbe, jo komunave serbe ashtu siç është dhënë ky propozimi i ekipit menaxhues në Bruksel sepse është bërë në mënyrë të mbrapsht dhe jashtë të gjitha kornizave të marrëveshjeve deri të tanishme”, tha ai sonte në RTV Dukagjini, kur është pyetur se a është vetëmenaxhimi më shumë sesa Asociacion.
Sipas tij, kjo si është kështu flet për një lloj autonomie, për një lloj të të drejtave të veçanta të komunitetit serb karshi komuniteteve të tjera.
Kritikat se Asociacioni është prodhim i tij dhe ish-presidentit Hashim Thaçi, Mustafa i cilëson si të pavërteta, transmeton Paparaci.
Mes tjerash, ai u pyet nëse ka pasur ndonjë komunikim me Kurtin prej kur është bërë kryeministër. Ai u përgjigj shkurt duke e mohuar një gjë të tillë.
Ai foli edhe për ekipin menaxhues që prezantoi draft-statutin e Asociacionit në një takim të nivelit të lartë në Bruksel, i cili të nesërmen u shkarkua nga Qeveria Kurti.
“Është dashur të shkarkohet nëse nuk ka bashkëpunuar sepse në këtë rast Qeveria e ka dëmtuar shumë veten dhe Kosovën sepse tash ndërkombëtarët po thonë se duhet të gjendet një zgjidhje në mes të draft-statusin që ka dhënë ekipi menaxhues dhe asaj çfarë ofron Qeveria e Kosovës”, tha ai.
“Nëse është pikënisje për themelimin e Asociacionit ai merret parasysh. Unë nuk shoh asgjë në atë draft që të merret parasysh nga titulli i draft-statutit që nuk përkon me dialogun që është zhvilluar Kosovë-Serbi sepse në asnjë rast nuk është dialoguar për komunat me shumicë serbe dhe për Asociacioni e komunave me shumicë serbe në asnjë rast nuk është dialoguar për të drejtën e komunave serbe që ata të kenë në pronësi tunele, rrugë, organizata publike, të kenë të drejtë referendumi, kjo nuk figuron në asnjë letër, janë çështje që ata i kanë menduar vetë, i ka bërë Serbia por në emër të saj i ka paraqitur ky grup menaxhues”, shpjegoi Mustafa.