Kuvendi i Kosovës aktualisht është duke funksionuar me vetëm 110 deputetë.
Kjo për shkak që dhjetë prej tyre që i përkasin Listës Serbe dje edhe zyrtarisht kanë dorëzuar mandatet e tyre.
Zëvendësimi i tyre, mund të bëhet me kandidatët e tjerë të cilët kanë qenë në listë për zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit të kaluar.
Një gjë të tillë, e parasheh edhe Kushtetuta dhe rregullorja e punës së Kuvendit të Kosovës.
Mirëpo, nëse të njëjtit nuk betohen brenda tri seancave të rregullta atëherë mosdhënia e betimit përbën arsye për humbjen e mandatit.
Por, a mund të zëvendësohen deputetët e Listës Serbe në rast të mos pranimit edhe nga dhjetë të tjerët me ndonjë parti tjetër serbe që ka garuar në zgjedhje, për Front Online flasin njohësit e çështjeve politike.
Për Mazllum Baraliun, një gjë e tillë mund të ndodhë.
“Nëse se pranojnë teorikisht por edhe logjika juridike lejon mundësinë që të shkohet edhe prapë po them nuk është paraparë në detaje, por për ta rregulluar këtë situatë mund të kalohet në parti të tjera të cilat i kanë të njëjtat të drejta nga komuniteti i njëjtë, mirëpo nëse edhe aty nuk pranon kush apo frikohen që ta marrin atëherë mbetet vakuum institucional, por Kuvendi mund të funksionojë edhe pa ta”, është shprehur Baraliu, për Front Online.
Por, ndryshe mendon, njohësi i çështjeve politike, Arton Demhasaj.
“Nuk munden për shkak se Lista Serbe është ajo që i ka fitu votat dhe nuk mundet me u zëvendësua me deputet ose kandidatë të partive tjera që nuk kanë arrit me fitu mandate në zgjedhjet e fundit. Krejt mandatet që iu takojnë serbëve që janë fitu nga Lista Serbe nuk mund të zëvendësohen me deputetë tjerë të partive të tjera serbe që nuk kanë mbërri me fitu mandate në zgjedhjet e fundit”, ka thënë Demhasaj, për Front Online.
Baraliu, e Demhasaj kanë folur edhe për çështjen kur kërkohen 2/3 e votave të Kuvendit, dhe 2/3 e votave të komuniteteve.
Sipas tyre, Kuvendi mund të funksionojë edhe pa deputetët serbë, por jo edhe për ligjet ku kërkohen 2/3 e votave të komuniteteve.
“Keni parasysh, janë 120 pa 10 dhe janë edhe 110 të tjerë që jo vetëm që e bëjnë kuorumin por e tejkalojnë shumëfish. Pra, mbi 80 deputetë kur duhet të vendoset për çështje madhore funksionon pa problem Kuvendi, kështu që edhe ndonjë parti tjetër ta sabotonte Kuvendin, i njëjti mund të funksionoj”, ka deklaruar Baraliu.
Të gjitha ligjet që kërkojnë shumicë të dyfishtë në Kuvend, sipas Demhasajt do të dështojnë në votim.
“Të gjitha ligjet që janë me interes vital e që kërkojnë shumicën e dyfishtë të Kuvendit që nënkupton 2/3 e Kuvendit dhe 2/3 e minoriteteve nuk munden me u votu, dhe thjesht dështojnë për shkak se procedura është e tillë. Pra, në mungesë të deputetëve të Listës Serbe gjithë ato ligje që kërkojnë shumicë të dyfishtë nuk mundem me kalua edhe kanë me dështua”, ka thënë ai.
Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ka vendosur të shtunën që të largohet nga institucionet qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe nga komunat në veri të vendit.
Pas vendimit – të marrë në një takim me dyer të mbyllura në Zveçan – dorëheqje kanë dhënë edhe pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës, ata të gjyqësorit dhe prokurorisë në veri.
Paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.