Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, ngacmimeve e sulmeve seksuale. Në shumë raste, viktima janë vajzat e moshave të reja, të cilat keqpërdoren seksualisht nga persona të panjohur.
Një rast i tillë dyshohet të ketë ndodhur së fundi në rrugën “Migjeni” në Gjakovë, ku një viktimë është një vajzë 22-vjeçare.
Sinjali mëson se viktima ka qenë duke ecur kur i dyshuari, një 24-vjeçar i doli papritmas në rrugë dhe e ndoqi per gjysmë ore, duke i shkaktuar frikë dhe shqetësim.
Bazuar në dëshminë e viktimës, për të mos mbaruar me kaq, i dyshuari e ka sulmuar seksualisht, duke e kapur viktimën dhe duke tentuar ta puth me zor.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore janë vënë në lëvizje dhe në kuadër të veprimeve hetimore, e kanë arrestuar dhe shoqëruar të dyshuarin në stacion.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është cilësuar ‘Sulm seksual’ dhe i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë.