Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani ka folur për mundësitë e largimit të tij apo jo nga ky subjekt politik i udhëhequr prej Albin Kurtit.
Sipas tij, nëse nuk ka rezultate në fund të mandatit të tij, atëherë shtoi se nuk ka as kuptim apo arsyeje që të vazhdojë tutje.
Mbajtja e pozitës së deputetit nëse i shkakton dëm vendit është negative dhe njëkohësisht e padobishme, thotë Rrahmani.
“Jo, por këto janë mundësitë që ndodhin shumë shpesh, natyrisht deri në fund shihet rezultati. Kur e shoh që angazhimi im 4-vjeçar s’ka pasur dobi, nuk ka asnjë kuptim dhe arsyeje me vazhdu edhe për katër vite tjera. Kur e vlerësoj që kam qenë i padobishëm për katër vite në Kuvendin e Kosovës, qëndrimi im do të jetë detyrimisht që mos të vazhdojë të jem pjesë e Kuvendit se i shkaktoj dëm vendit”, deklaroi ai në RTV Dukagjini.
Mes tjerash, ai theksoi se puna primare e deputetëve është mbikëqyrja e punëve të qeverisë dhe për secilin aktivitet që vjen në Kuvend prej ekzekutivit.