E konfirmon Qeveria – kishte plan për atentat ndaj Kurtit

Qeveria e Kosovës ka konfirmuar planet për ekzekutimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, më 2021.

Në një njoftim për media, qeveria tha se institucionet e sigurisë i kanë ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin e atentatit.

“Përgjigje në pyetjet tuaja rreth raportimit në media për një plan për atentat ndaj Kryeministrit Kurti në vitin 2021: Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka qenë i njoftuar për këtë rast nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë. Institucionet e sigurisë i kanë ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin e këtij veprimi”, thuhet në njoftim.

Rasti nuk është bërë publik për të mos përhapur panik, ka thënë qeveria të hënën.

Televizioni A2 në Shqipëri ka raportuar sot se gjatë vitit 2021 kishte një plan për vrasjen e disa figurave kosovare, përfshirë kryeministrin Albin Kurtit.

Sipas këtij televizioni, pjesë e planit për vrasjen e figurave të ndryshme, ishte edhe Xhavit Haliti, deputet i PDK dhe njëri nga personalitetet më të njohura të kësaj partie.

“Në vitin 2021, Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë ka zbuluar një plan për të vrarë kryeministrin Albin Kurti dhe dy persona të tjerë nga një shtetas nga Shqipëria. Të paktën kështu rezulton në një dokument të bërë publik këtë të hënë nga hakerat, i cili dyshohet se është marrë nga emaili i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në vitin 2021, Gledis Nano”, shkruan A2.

Tutje, sipas A2, Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë, kishte pranuar informacione për atentat ndaj kryeministrit Kurti, Xhavit Halitit, dhe Ismet Haxhës, ish-anëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës dhe i afërm i Kadri Veselit.

“I dyshuari është Prek Kodra, shtetas shqiptar. Në dokument theksohet se ai ka aftësi të mira në përdorimin e snajperëve. Ai dyshohet se është përfshirë në disa vrasje në Kosovë dhe Mal të Zi. Ndërkohë, Kodra dyshohet se jeton në Shkodër, ndërsa vepron në Tropojë, Ferizaj dhe Deçan të Kosovës”, shkruan tutje A2.

Në shkrim theksohet se personi i dyshuar është me precedent penal, duke shtuar se ai edhe më herët është hetuar për vrasje me paramendim dhe mbajtje pa leje të armëve të gjahut.

I dyshuari për atentat ndaj Kurtit, është shpallur person në kërkim në vitin 2016, ndërsa pas kontrolleve në banesë iu gjetën dy armë gjahu dhe 90 fishekë.

“Në shtator të vitit të kaluar u pezulluar urdhri i kërkimit, ndërsa konsiderohet si person me rrezikshmëri të lartë”, shkruan A2.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *