Gjermania nis procesin e lehtësimit të marrjes së nënshtetësisë

Gjermania ka vendosur të krijojë disa lehtësime për të huajt, që duan të marrin nënshtetësinë e këtij vendi. E këto lehtësime përfshijnë edhe ata nga Kosova, shumë nga të cilët kanë vite që jetojnë në shtetin gjerman.

Në lidhje të drejtpërdrejtë me programin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, gazetarja e Deutsche Welle-s, Lindita Arapi, shpjegoi reformat e ndërmarra nga qeveria gjermane në lidhje me këtë çështje.

Në fakt, ajo tha se reforma në këtë drejtim ka qenë synim i Socialdemokratëve, përkatësisht Kancelarit Olaf Scholz.

“Në këtë mënyrë, koalicioni qeveritar ka vendosur që të fillojnë diskutimet në Lande dhe më pas të bëhet ndryshimi për lehtësimin e marrjes së nënshtetësisë”, tha Arapi për RTK-në.

Duke shpjeguar se çfarë pritet të ndryshojë, gazetarja Arapi sqaroi se të huajt që duhej të prisnin tetë vjet për të marrë pasaportën gjermane, në të ardhmen duhet të presin vetëm pesë vjet.

Gjithashtu ajo tha se do të bëhet e mundur marrja e nënshtetësisë gjermane edhe pas tre vjetësh, por për këtë duhen arritje shumë të veçanta në integrim siç janë; të flasësh në mënyrë të shkëlqyer gjermanishten, të kesh rezultate të veçanta në punë, të kesh rënë në sy për diçka të veçantë, apo edhe të marrësh pjesë edhe në angazhime vullnetare.“Por nuk duhet harruar se duhet plotësuar edhe kushtet për ta marrë këtë nënshtetësi. E para dhe më e rëndësishmja është sigurimi i jetesës për vetën dhe familje, pra të mos jesh pjesë e sistemeve sociale, të pranosh rendin liberal demokratik të Gjermanisë, të bësh edhe testin e nënshtetësisë, të mos kesh asnjë dënim për vepër penale”, tha Arapi. “Gjithashtu përjashtuese për marrjen e nënshtetësisë gjermane do të jenë edhe shkaktimi i veprave anti-semite apo vepra me motive urrejtje dhe racizmi”.

Për më tepër, këto ndryshime cilësohen si shumë të mëdha nga shteti gjerman, por mbi të gjitha, pritet të hiqet një nga kushtet që është cilësuar si shumë diskriminues për të gjithë ata që kanë plotësuar kriteret e tjera për marrjen e nënshtetësisë gjermane, e ajo ishte heqja dorë nga nënshtetësia e shtetit të origjinës.

Në fakt, Gjermania ishte ndër vendet pakta në Evropë, bashkë me Austrinë dhe Holandën, që kishin ligjin i cili nuk lejonte nënshtetësi të dyfishtë, pra nuk lejonte marrjen e nënshtetësisë gjermane, pa hequr dorë nga ajo paraprake.

“Por me reformën, ata që duan ta marrin nënshtetësi gjermane, nuk do të jenë të detyruar ta dorëzojnë nënshtetësinë e parë, pra në njëfarë forme, të heqin dorë nga një pjesë të identitetit të tyre”, tha Arapi për RTK-në.

Përveç kësaj, ajo shpjegoi se ka edhe një ndryshim tjetër, sepse fëmijët e lindur në Gjermani, nga prindër të huaj, do ta marrin më letë nënshtetësinë gjermane. ‘Por kusht është që njëri nga prindërit të ketë jetuar në Gjermani të paktën pesë vjet me leje të rregullt”.

Për më tepër, ajo tregoi se deri më tash ky kusht ka qenë deri në tetë vjet. “Detyrimi për testin e nënshtetësisë do të hiqet për ata që janë mbi 67 vjeç për të marrë nënshtetësinë dhe për ta mjafton vetëm gjuha e komunikimit”.

(Pjesën ku flitet për ndryshim të rregullave për lehtësimin e marrjes së nënshtetësisë gjermane, mund ta ndiqni edhe në video nga minuta 03.30)

“Ky ndryshim prek pozitivisht shumë nga ata që kanë ardhur për të punuar në Gjermani në vitet 60, 70 apo 80 të shekullit të kaluar pasi atëherë atyre nuk iu ofruan as kurse gjuhe as integrimi”, shpjegoi gazetarja Arapi në lidhje të drejtpërdrejtë nga Boni.

Megjithatë, ajo shpjegoi se për këto ndryshime ka kritika sidomos nga opozita. Ajo citoi një politikan nga CDU, Thorsten Frei, i cili ka deklaruar se “Gjermania është vend imigrimi, por kjo nuk do të thotë se duhet t’i jepet nënshtetësisë gjermane kujt do dojë”.

Arapi tha se politikani opozitar gjerman ka thënë se nënshtetësia nuk është një mall që ka dalë në treg me çmim të lirë.

“E madje edhe nga partneri i koalicionit qeverisës, Liberalët, kanë deklaruar se duhet penguar patjetër që nënshtetësia të çimentojë marrjen e asistencave sociale”, shpjegoi Arapi.

Megjithatë, ndonëse nënshtetësia u garanton të huajve trajtim të barabartë, gazetarja Arapi tha se në realitet, duhet rikujtuar se në jetën e përditshme, për ata që nuk e kanë emrin p.sh Hans, por e kanë Ahmet, ka dallime.

“Këto dallime vërehen nëse do të marrin një apartament me qira apo ambiente pune. Ky dallim ndjehet”, tha Arapi.

Ajo shpjegoi se nuk është ajo Gjermania e para pesë apo dhjetë viteve, pasi ka ndryshuar për mirë në këtë drejtim por megjithatë, tha se një pjesë e diskriminimit ekziston.

“Madje është edhe një nga arsyet që ka forca të kualifikuara që vijnë e për të cilët Gjermania ka shumë nevojë, por largohen sërish nga Gjermania për shkak të kësaj ndjenjës së të qenit ende i huaj në këtë vend”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *