Krahas ligjit të ri të punëtorëve të kualifikuar, Gjermania po prezanton masa për të inkurajuar më shumë migrim për punëtorët nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Republika e Maqedonisë së Veriut, Mali i Zi dhe Serbia.
Parlamenti gjerman ra gjithashtu dakord të zgjerojë të ashtuquajturën “Rregullorja e Ballkanit Perëndimor”, për ta bërë më të lehtë për më shumë punëtorë nga vende të caktuara jashtë BE-së të vijnë në Gjermani, shkruan The Local.
Çfarë është rregullorja e Ballkanit Perëndimor?
Rregullorja e Ballkanit Perëndimor u prezantua për herë të parë në vitin 2016 dhe u jep shtetasve nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Republika e Maqedonisë së Veriut, Mali i Zi dhe Serbia mundësi në tregun gjerman të punës për çdo lloj punësimi.
Sipas rregullores aktuale, punëtorët kanë nevojë për një ofertë detyruese pune nga një punëdhënës në Gjermani dhe kualifikime të njohura.
Fillimisht, rregullorja duhej të skadonte në fund të vitit 2020, por, për shkak të kërkesës së madhe nga punëdhënësit në Gjermani për punëtorë nga këto vende, rregullorja u zgjat deri më 31 dhjetor 2023.
Rregullorja konsiderohet një model suksesi që ka lejuar punëdhënësit në Gjermani të rekrutojnë deri në 25,000 punëtorë të kualifikuar çdo vit nga këto vende, përcjell albinfo.ch.
Si do të ndryshojë ligji?
Me zgjerimin e ligjit, Rregullorja e Ballkanit Perëndimor do të mbetet e përhershme dhe kuota vjetore e punëtorëve të lejuar nga këto rajone do të dyfishohet në 50,000 në vit. Ata do të lejohen të hyjnë në Gjermani për çdo lloj punësimi pa pasur nevojë të paraqesin dëshmi të kualifikimeve profesionale.
Ky është një lajm veçanërisht i mirë për industrinë e ndërtimit, e cila ka mirëpritur faktin se rregullorja e re nuk kërkon kualifikime nga emigrantët, por përkundrazi u lejon kompanive të vendosin nëse përvoja profesionale afatgjatë është e mjaftueshme për ta.
Përveç zgjerimit të kuotës për punëtorët nga Ballkani, Parlamenti gjerman synon gjithashtu të sjellë një kuotë migrimi për punëtorët e pakualifikuar nga vende të tjera përveç Ballkanit Perëndimor, të cilët mund të tregojnë se kanë një ofertë punësimi në Gjermani, shkruan The Local.
Numri që po diskutohet aktualisht është 30,000, i cili do të përcaktohet nga Agjensia Federale e Punësimit (BA) në bazë të kërkesës.
Këta punëtorë do të lejohen të ndërmarrin çdo lloj punësimi që kërkon pagesa të sigurimeve shoqërore për tetë muaj brenda një viti nëse punëdhënësi është i lidhur me marrëveshje kolektive dhe mbulon plotësisht shpenzimet e udhëtimit.
Ka gjithashtu plane për t’u dhënë asistentëve të huaj të infermierisë nën nivelin e punonjësve të kualifikuar akses në tregun e punës, me synimin për të marrë rreth 1200 kujdestarë shtesë, përcjell albinfo.ch.