Ky mund të jetë shteti i parë që do ta njohë Kosovën pasi të arrihet marrëveshja me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kanë pritur të dielën e 12 marsit në Prishtinë ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Niko Dendias.

Kjo është vizita e dytë e tij në Kosovë, në harkun e tre muajve, raporton “Arbresh.info”.

Paradoksi më i madh nuk qëndron në faktin se kryediplomati grek ka zhvilluar vizitë zyrtare në Kosovë, por në atë se përkrah këtyre vizitave, po vazhdon të qëndrojë mungesa e njohjes së Kosovës nga Athina zyrtare.

Përderisa njohja nga Greqia mungon, e njëjta gjë nuk po ndodhë me takimet mes dy palëve, të cilët, përveç takimit të 12 marsit 2023 dhe 20 dhjetorit të vitit të kaluar, kanë zhvilluar edhe takime tjera, siç ishte vizita e ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla – Schwarz në Athinë, janarin e vitit 2022.

Çdo herë pas takimeve, ministrja Gërvalla deklaronte se njohja e Kosovës nga Greqia po shkon drejt realizimit, pa treguar shumë rreth hapave konkret që janë ndërmarrë në këtë drejtim.

Pacolli: Greqia mendoj që mund ta njohë lehtësisht Kosovën, nëse arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, këtë intensifikim të takimeve e sheh si një zhvillim të rëndësishëm për vendin, duke theksuar hapjen e zyrës së Kosovës në Athinë, e cila edhe shënon praninë e parë diplomatike të Kosovës në një nga pesë vendet mosnjohëse të Bashkimit Evropian (BE).

Kjo Zyrë Ndërlidhëse është hapur në vitin 2018, në kohën kur Pacolli ka qenë ministër i Punëve të Jashtme.

“Shkëmbimet ndërmjet Kosovës dhe Greqisë, si me çdo vend tjetër janë një zhvillim i rëndësishëm për politikën e jashtme të Kosovës. Kemi pasur një shkëmbim të tillë gjithmonë me Greqinë dhe Athina ka mbajtur një qasje konstruktive ndaj Kosovës, shpesh kur takoja ministrin e Jashtëm grek do të thoshim se kemi marrëdhënie të shkëlqyera por pa njohje. Kur isha ministër i Punëve të Jashtme me homologun tim grek, ne ramë dakord që të hapim Zyrën e Kosovës në Athinë, prania e parë e tillë diplomatike në një nga vendet që nuk e njohin Kosovën brenda BE-së”, tha Pacolli për “Arbresh.info”.

Pacolli, gjithashtu ka thënë se marrëveshja e mundshme mes Kosovës dhe Serbisë është faktori kryesor që ndikon në fitimin e kësaj njohje, por kërkoi angazhim më të madh të diplomacisë së vendit në mënyrë që të fitohet edhe njohja nga vendet tjera.

“Greqia u konsiderua dhe mendoj se sot llogaritet si një nga vendet që mund ta njohë lehtësisht Kosovën nëse arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë dhe në këtë kontekst e konsideroj vizitën e ministrit të Jashtëm grek. Por unë do të doja të shihja më shumë angazhim edhe me vendet e tjera, sepse Kosova ka nevojë për një strategji diplomatike se si t’u komunikojë vendeve që nuk e njohin Kosovën marrëveshjen e mundshme me Serbinë”, deklaroi Pacolli për arbresh.info.

Ai theksoi se Kosova dhe Greqia i kanë forcuar marrëdhëniet mes palëve në kohët e fundit, por vuri në pah nevojën që këto marrëdhënie të mos mbesin vetëm në fushën e tregtisë, por të kalojnë edhe në raporte të plota diplomatike.

“Kosova dhe Greqia kanë zgjeruar marrëdhëniet e tyre në shumë fusha dhe vitet e fundit kemi parë një rritje të shkëmbimit tregtar duke e bërë Greqinë një partner kryesor tregtar për Kosovën. Kjo duhet të vazhdojë dhe me qasjen e duhur marrëdhëniet mund të avancohen në marrëdhënie të plota diplomatike”, përfundoi Pacolli për “Arbresh.info”.

Hoxhaj: Marrëveshja Kosovë – Serbi, “pikë kthese” për njohjen nga Greqia

Ndërkaq për ish-kryediplomatin tjetër, Enver Hoxhaj, shkëmbimet e shpeshta të vizitave mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Greqisë janë pozitive.

Ai thekson se Kosova dhe Greqia gjithmonë kanë pasur raporte të mira, por për sa kohë sa nuk vjen njohja, problemi ende është evident.

“Është zhvillim pozitiv kur ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë vjen shpesh në vizitë në Kosovë, rreth 6 herë në pak muaj, sikurse vizitat e përfaqësuesve të Kosovës në Greqi! Me Greqinë kemi pasur marrëdhënie të mira qe sa kohe, ajo ka qenë mbështetëse e Kosovës në rrugën evropiane, për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe në planin bilateral, por për sa kohë ajo nuk njeh Kosovën, kjo është një problem i madh në raportet tona!”, deklaroi Hoxhaj për “Arbresh.info”.

Edhe Hoxhaj e sheh si “pikë kthese” marrëveshjen Kosovë – Serbi, në mënyrë që të arrihet njohja nga Greqia. Kjo marrëveshje, sipas tij mund ta shtyjë edhe Spanjën, Sllovakinë dhe Rumaninë që të punojnë në këtë drejtim.

“Prandaj, është koha e fundit që Greqia të njohë Kosovën dhe nëse arrihet një marrëveshje e mundshme në mes Kosovës dhe Serbisë, ky momentum të përdoret si një pikë kthese drejt një vendimmarrje për njohje bilaterale! Ku është situata aktuale, i takon Greqisë dhe unë nuk mund të flas në emër të tyre! Është koha e fundit që edhe vende të tjera ta njohin Kosovën, sikurse Rumania, Sllovakia dhe Spanja”, tha Hoxhaj për “Arbresh.info”.

Ai e konsideron absurde edhe mosnjohjen nga Spanja, Sllovakia dhe Rumania.

Sipas Hoxhajt, është e pakuptimtë që të arrihet marrëveshja Kosovë – Serbi me Borrellin dhe Lajçakun si ndërmjetës, dhe të mos fitohet njohja prej vendeve nga vijnë këta dy.

“Në një kohë kur NATO po mbron sigurinë edhe të Sllovakisë dhe të Rumanisë për shkak të luftës në Ukrainë është absurde, që këto vende në këtë kohë që të mos marrin vendim ta njohin Kosovën! Çfarë po i sjellin ndërmjetësit Kosovës nëse marrëveshja e mundshme është rezultat i BE dhe ndërmjetësit janë Borrelli dhe Lajçaku, por as Spanja dhe Sllovakia nuk mund të njohin Kosovën! Kjo është absurde!”, theksoi Hoxhaj për Arbresh.info.

Ndryshe, Gërvalla dhe Dendias janë takuar edhe më 4 qershor të vitit 2021 dhe më 9 tetor të 2020-ës, por, pa rezultate të njohjes.

Megjithatë, përkundër mosnjohjes së Kosovës, Greqia ka një qasje tjetër ndaj Kosovës. Nga të gjitha shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, Greqia është i vetmi vend që ka funksionalizuar një Zyrë Ndërlidhëse dhe që ka ambasador në Prishtinë.

Për dallim nga vendet tjera, Greqia njeh dokumentet e Kosovës dhe lejon futjen e automjeteve me targa të Kosovës në territorin e saj.

Gjithashtu, ky shtet e ka ndihmuar Kosovën për anëtarësim në Bankën Botërore, në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), qoftë me votë pro, qoftë me kuorum.

Nga shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, Greqia është i vetmi vend që nuk ka ofruar opinion kundër Pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në vitin 2009, atëherë edhe kur u vërtetua Pavarësia e 17 shkurtit të 2008-ës. /Arbresh.info/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *