Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka folur ekskluzivisht për GazetënBlic duke dhënë detaje nga takimi mes Kurtit dhe sindikatave, që përfundoi pa marrëveshje dhe mbeti që greva të vazhdojë.
Jasharaj iu kundërpërgjigj Kurtit duke thënë se i ka pasur plotë 82 ftesa nga BSPK-ja dhe dhjetra ftesa nga SBASHK-u që të ndodh një takim i tillë.
“Kërkesat tona janë ditur dhe janë publikuar. Kryeministri Kurti i ka këto kërkesa, bashkë me 82 ftesa nga BSPK-ja dhe dhjetra ftesa nga SBASHK-u e sindikatat tjera, që të ulemi e të bisedojmë. Pas gjithë këtij rrugëtimi, ka pasur aty-këtu ndonjë takim mes Kurtit dhe Atdhe Hykollit. Ne nuk i bënim kërkesat pse donim të takoheshim me Kurtin, por sepse është një procedurë dhe të njejtin obligim e ka edhe ai”, thotë Jasharaj.
Kreu i SBASHK-ut komentoi edhe deklaratën e Kurtit, ku ky i fundit në konferencë për medie u shpreh: “Jasharaj tha më ndihmo si vëlla”.
Sipas Jasharajt, një deklaratë e tillë e thënë në atë mënyrë dhe sipas tij tejet dashakeqëse nuk është në rregull të thuhet në publik, sepse ishte bisedë nga brenda.
Jasharaj e pranon si i tha Kurtit “Na ndihmo si vëlla” por thotë se kjo kishte kuptim si “po i hapim zemrat dhe nuk po flasim me hile”.
“Më në fund, ndodh një takim mes neve dhe shumë kanë pritur që nga ky takim do të lëviz diçka, fatkeqësisht pas një takimi dy orësh ku unë dhe kolegët e mi ishim krejtësisht të hapur. Pastaj doli kryeministri, që bisedat nga brenda i përdori në publik e me një qëllim negativ, kjo nuk është në rregull. Është e vërtetë që unë i kam thënë “I nderuar kryeministër, po të lutem si vëlla të ulemi e të bisedojmë”, por nuk Kosovë kjo i bie që “po i hapim zemrat e nuk po flasim me hile”, mua nuk më duhet asgjë ta kem kryeministrin vëlla, vetëm në këtë kuptim e kam thënë sepse unë i kam vëllezërit e mi”, thotë Jasharaj.
Jasharaj thotë se takimi me Kurtin nuk ishte asgjë tjetër, përveç një ligjeratë e fakultetit.
“Në këtë takim, Kurti na dëgjoi me kujdes e pastaj na ktheu nëntë muaj më pas, filloi të tregojë se çfarë ka bërë e çfarë do të bëjë Qeveria, që sipas meje ishte një lloj ligjerate në fakultet. Insistoi që nuk do të bëj asnjë lëvzije tutje dhe ne përsëri provuam që ta qbllojkojmë situatën duke i thënë “do të bëjmë lëvzije pozitive, aq sa mundemi e aq sa na lejon anëtarësia”, thotë Jasharaj.
“E keqja e krejt kësaj është që, Qeveria me një qasje tepër negative ndaj sindikatave, me deklarata nxitëse e fyese po ndikon shumë te anëtarësia, e cila në vend që të relaksohet dhe të mendoj, se çfarë do të ndodh nesër po unifikohet edhe më shumë. Ne jemi duke biseduar me ta dhe janë të pajtimit që të vazhdohet me grevën sepse pakoja nuk ishte kërkesë e jona, e bëri mirë që e bëri por, kjo pako nuk është marrë me kërkesat tona”, tha Jasharaj.