Grupi punues i Këshillit Evropian është duke mbajtur takimin, ku në rend dite do të jetë edhe çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Në Këshill do të nisë diskutimi për të parë se a ka mbështetje nga shtetet anëtare dhe se a mund të lëvizet përpara.
Telegrafi ka mësuar se diskutimi për liberalizimin e vizave në këtë takim do të nis rreth orës 14:00-14:30, dhe se i njëjti do të jetë i mbyllur.
Komisioni Evropian ditë më parë u ka dërguar vendeve anëtare të Bashkimit Evropian një dokument ku rithekson se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.
Lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave ka folur të mërkurën edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.
Në konferencën për media pasi pranoi Raportin e progresit, Kurti është shprehur optimist për çështjen e liberalizimit të vizave dhe ka thënë se qeveria e tij e ka përmirësuar imazhin e Kosovës.
“Ky është raporti i parë që përfshin periudhën e plotë 1-vjeçare te qeverisjes sonë. Vendi ynë ka shënuar progres në shume fusha gjatë vitit që shkoi pavarësisht krizave. Raporti e përgëzoi Kosovën për stabilitetin dhe qëndrueshmërinë politike”, tha Kurti.