Murati thotë se Qeveria Kurti nuk e ka rritur tatimin në pronë

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka deklaruar mbrëmë se Qeveria Kurti nuk e ka rritur tatimin në pronë, transmeton Paparaci.

Sipas tij, dikasteri që ai e udhëheq është bazuar në ligjet që janë miratuar më herët nga ish-qeveritë.

“Kur ballafaqohen me kritika prej qytetarëve, fajin e hedhin te qeveria ose te ministria e Financave dhe në këtë rast e kemi rastin e vlerësimit apo rivlerësimit të vlerës së pronave rezidenciale e cila është paraparë me ligjin të miratuar më herët, pra në vitin 2018 dhe aktet nënligjore po ashtu të miratuara më herët. Ka qenë tre dhe pesë vjet, janë dy raste”, tha ai në ATV.

Para këtij ligji, Murati tha se vlerësimi është bërë nga komunat në Kosovë.

“Pesë vite nëse nuk gaboj është pronat komerciale, tri vite është rezidenciale. Mirëpo, më herët para atij ligji vlerësimi është ba prej komunave dhe komunat pra kryesisht kanë ba vlerësime më të ulëta sesa vlera e tregut ose ka pasë edhe ndryshime ndërkohë, pra edhe ato komuna që kanë mund t’i bëjnë vlerësimet si duhet, ndërkohë ka pasë ndryshime në çmime dhe ky ka qenë obligim ligjor”, tha Murati.

Ai shtoi se MF-ja nuk ka marrë asnjë vendim për këtë çështje.

“Ministria e Financave në këtë rast e ka kry një shërbim por nuk ka marrë asnjë vendim, sepse edhe kjo padrejtësisht është paraqitur shpeshherë, kam dëgju edhe storje të lajmeve, intervista ku është thënë ministria apo qeveria ka marrë vendim. Është e pavërtetë. Le të ma gjen dikush një vendim që e ka marrë ministria e Financave apo Qeveria për këtë çështje. Kjo ndodh në mënyrë automatike, sepse departamenti i ministrisë së Financave që është për tatim në pronë e ka obligim ligjor ta bëjë vlerësimin pra të angazhojë edhe ekspertë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *