Ndodh sërish: Policisë i ikë i dyshuari nga stacioni policor

Arrestimi dhe shoqërimi i të dyshuarve që kapen për vepra të ndryshme penale bëhet me siguri të lartë, që ua pamundëson atyre ikjen. Por raste të tilla nuk janë edhe të rralla për Policinë e Kosovës. Shpeshherë ka ndodhur që të dyshuarit t’iu ikin para syve të tyre, qoftë në lokacionet ku kanë intervenuar, apo edhe nga stacionet policore.

Një rast i tillë ka ndodhur edhe të shtunën, në mesdite, në stacionin policor në Podujevë, ku një i dyshuar për dhunë në familje arriti të ikë nga Policia. Gjithçka ndodhi për pak minuta, kur i dyshuari shfrytëzoi kohën sa zyrtari policor nuk gjendjet afër tij dhe ia mbathi.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se i dyshuari ishte shoqëruar në stacion policor në lidhje me një rast që ishte denoncuar dhe derisa polici po konsultohej me Prokurorin e Shtetit në lidhje me inicimin e rastit ndaj të dyshuarit, ky i fundit u ‘zhduk’.

Kjo bëri që Policia të aktivizohej sërish, me ç’rast u zbulua se i dyshuari kishte shkuar fillimisht në shtëpinë e tij, ku ka tentuar t’i sulmojë prindërit e tij dhe më pas është larguar sërish në një drejtim të panjohur dhe ende nuk është bërë lokalizimi i vendndodhjes së tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *