Agjencia e Barnave të Bashkimit Evropian (EMA) tha se një variant “plotësisht i ri” i COVID-19 mund të shfaqet këtë dimër, por shtoi se vaksinat ekzistuese duhet të mbrojnë ende njerëzit nga sëmundjet e rënda.
Zyrtarët e Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA) më 2 shtator thanë se organizata po përgatitet të hapë një fushatë për vaksinat përforcuese përpara një vale të re të parashikuar të rasteve të koronavirusit.
Shefi i vaksinave në EMA, Marco Cavaleri tha në një konferencë shtypi se njerëzit “nuk duhet të presin për një vaksinë specifike”.
“Mund të dalë një variant krejtësisht i ri që ne nuk jemi në gjendje ta parashikojmë sot”, tha ai.
EMA më 31 gusht miratoi vaksinat nga Pfizer/BioNTech dhe Moderna që janë krijuar për të luftuar nënvariantin më të vjetër BA.1 Omicron.
Një vaksinë e zhvilluar nga Pfizer që synon variantet tashmë mbizotëruese BA.4 dhe 5 pritet të miratohet në javët e ardhshme.
Vaksinat e reja të përshtatura me Omicron do të rezervohen kryesisht si përforcues për të moshuarit, katëgoritë e ndjeshme, gratë shtatzëna dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor, tha Cavaleri.
Shumica e njerëzve do të vazhdojnë të marrin vaksinat origjinale të krijuara për të trajtuar llojin origjinal të koronavirusit.
“Vaksinat origjinale janë ende në gjendje të mbrojnë kundër sëmundjes së rëndë COVID-19 dhe vdekjes,” edhe nëse ato nuk janë aq efektive në parandalimin e infeksioneve më të buta, tha ai. /