Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka reaguar të mërkurën pasi rezultatet e auditimit tregojnë se Instituti Bujqësor i Kosovës nuk menaxhoi si duhet resurset dhe proceset e zhvillimit të projekteve të Teknologjisë së Informacionit dhe komunikimit për të përmbushur qëllimin për digjitalizimin e tyre.
Ministria dhe Instituti nuk ishin efektivë dhe nuk menaxhuan si duhet projektet e Teknologjisë së Informacionit, me vlerë të përgjithshme prej 700,766 euro, duke mos përfshirë profesionistët e TI-së në planifikimin dhe zhvillimin e këtyre projekteve.
Në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit thuhet se dy sisteme të ndara në vlerë prej 567,406 euro ishin zhvilluar për të njëjtin qëllim, por pavarësisht shpenzimeve këto sisteme nuk janë duke u përdorur.
E sipas Pecit, “kur flitet për IBK-në apo Institutin Bujqësor të Kosovës në Pejë, asocimi me shkelje nga më të llojllojshmet është i pashmangshëm”.
Peci tha se beson që IBK-ja është institucioni me shkeljet më flagrante në Kosovë, transmeton Paparaci.
“Nga tjetërsimi i pronave, uzurpimi e ndërtimi i pronave private në pronat institucionale; Keqpërdorimi e keqmenaxhimi i financave publike; e deri tek Sistemi i IT-së jashtë çdo rrjeti Qeveritar e vërtetojnë se IBK-ja është trajtuar si plaçkë lufte”, shkroi ai në Facebook.
“Të gjitha këto shkelje, nga e para e deri tek e fundit, me dëshmi të bashkangjitura, i ka në dispozicion Prokuroria e Kosovës! Portalit shumë të dashur Demos, që këto shkelje që datojnë në periudhën nga viti 2017-2019 i kanë pasqyruar me fotografinë time; ua bëj me dije se pikërisht ky personi në fotografi, shkeljet e lartcekura i ka adresuar në Prokurori si dhe gjetjen e auditorit për keqpërdorimin e 700 mijë eurove, do t’i adresoj poashtu shumë shpejt”, shtoi ai.