Policia e Kosovës: Po i asistojmë kryetarët e veriut për ta ushtruar të drejtën e tyre në punë

Policia e Kosovës ka reaguar për zhvillimet e sotme në Veri, ku janë lëshuar sirena.

Policia ka thënë se është duke asistuar kryetarët e komunave veriore Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare të komunave përkatëse.

Përmes një njoftimi drejtuar mediave, Policia ka thënë se po ndërmerr masa policore me qëllim të parandalimit të të gjitha veprimtarive kriminale që paraqiten në vend.

“Policia e Kosovës (PK), sipas autorizimeve ligjore dhe kushtetuese po ndërmerr veprimet e saja policore në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore me qëllim të parandalimit të të gjitha veprimtarive kriminale që paraqiten në vend. Sipas detyrës zyrtare, sot Policia e Kosovës është duke asistuar kryetarët e komunave veriore Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare të komunave përkatëse”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, në Zubin Potok, Leposaviq, e Zveçan rreth orës 12:00 janë grumbulluar një grupe të vogla qytetarësh. Sipas mediave në gjuhën serbe, ende nuk dihet arsyeja e grumbullimit të tyre.

Po ashtu pak më parë atje janë dëgjuar edhe alarmet. Sipas Kossev, kjo është edhe arsyeja që qytetarët kanë filluar të grumbullohen në qendrat e këtyre komune.

Përfaqësuesi i Iniciativës Qytetare Milija Bishevac për Zubin Potok , i ka thënë Kossev se është dëgjuar sirena dhe se edhe ai aty është me qytetarët pikërisht në qendër, ku ndodhen Stacioni i Policisë dhe ndërtesa e Komunës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *