Një familje katër anëtarëshe me asistencë sociale do të përfitojë 240 euro për blerjen e lëndëve djegëse, përmes një mase të re që Qeveria e Kosovës e ka prezantuar sot.
Masa e re për zbutjen e krizës energjetike është prezantuar nga kryeministri Albin Kurti dhe ministri Hekuran Murati të mërkurën, raporton Paparaci.
Zbutja e krizës energjetike po synohet përmes një marrëveshje 75 milionëshe në mes të Bashkimit Evropian dhe Kosovës. Nga këto mjete, me pesë milionë euro do të subvencionohet blerja e lëndëve djegëse për familjet me asistencë sociale.
Rreth mënyrës së subvencionimit të kësaj mase, foli të mërkurën ministri Hekuran Murati.
Shefi i dikasterit të financave në kabinetin qeveritar, tha se një familje do të përfitojë 120 euro nga subvencionimi për blerjen e lëndëve djegëse, dhe secili anëtarë veç e veç do të përfitojë nga 30 euro.
“Kjo masë është mbështetur nga pakoja energjetike e BE-së. Ne kemi pranuar një vlerë financiare prej 75 milionë euro, e ku nga kjo, njëra prej masave është mbështetja e familjeve me asistencë sociale për ngrohje gjatë dimrit. Përllogaritja bëhet në formën që secila familje përfiton 120 euro, që është ekuavalent për dy metër kub me çmimin e tregut, ndërkaq plus do të jenë nga 30 euro për secilin anëtarë. Që nënkupton se për një familje 4 anëtarëshe i bie se do të jenë 120 për familjen, dhe nga 30 euro të tjera për secilin anëtarë, që i bie në total 240 euro”, tha Murati.