Ecja nëpër rrugët e qyteteve të Kosovës është shndërruar në sport ekstrem për vajzat dhe gratë. Kjo për shkak të mungesës së sigurisë pasi që ato gjatë kohës që lëvizin vetëm nëpër qytete, vazhdimisht hasin në persona të dyshimtë të cilët i ngacmojnë ato e për më tepër marrin guximin edhe t’i sulmojnë dhe dhunojnë seksualisht.
Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në qytetin e Prizrenit, ku viktimë është një vajzë 38-vjeçare, e cila është ngacmuar seksualisht nga një burrë.
Burimet e Gazetës Sinjal brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se e gjithë ngjarja ka ndodhur në lagjen Dardania, para një marketi, ku i dyshuari i doli papritmas viktimës.
Bazuar në dëshminë e viktimës të dhënë para hetuesve policorë, i dyshuari ka kërkuar nga viktima që të kryejnë marrëdhënie seksuale, në këmbim të 20 eurove.
Përballë kësaj situate, e shqetësuar viktima ka kërkuar ndihmën e Policisë, duke e raportuar të dyshuarin.
Ndërkohë njësitë policore kanë intervenuar në vendin e ngjarjes, ku është arrestuar dhe shoqëruar i dyshuari në stacion policor.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është cilësuar ‘Ngacmim seksual’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve.