Albin Kurti dhe Glauk Konjufca janë fjalosur të mërkurën para kamerave me njëri tjetrin, në një moment që është kapur nga kamerat e vendosura në sallën e Kuvendit.
Sipas informacioneve që u shpërndanë të enjten, përplasja ka ndodhur për shkak të mocionit të Partisë Demokratike (PDK) për grevën.
Glauk Konjufca, kryekuvendar, argumentonte se duhej të flitej për çështjen e Grevës së Përgjithshme, ndërkohë që tjetër mendim kishte kryeministri Albin Kurti.
Të dy liderët në pushtet janë përplasur sot derisa po zhvillohej seanca e Kuvendit të Kosovës.
Për këtë çështje ka folur edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, teksa ka treguar se çfarë ka parë dhe dëgjuar nga kjo “përçarje” e dy krerëve të institucioneve.
Ai deklaroi se nuk e ka dëgjuar komunikimin, mirëpo foli edhe për sjelljen e Konjufcës dhe Kurtit.
“Nuk e dëgjova komunikimin, u pa që ishte një komunikim serioz mes kryetarit të Kuvendit dhe kryeministrit. Për hir të vërtetës me Glaukun kemi qenë në orën 09:30 në mëngjes shefat e grupeve dhe kemi diskutuar për një mocion procedural sa i përket debatit për grevën. Aty u dakorduam”, tha ai.
“Për hir të korrektësisë, Glauku tha se duhet me u komuniku me grupin parlamentar në mënyrë që të bëhet ndryshimi i mocionit procedural. Tash ku qëndron problemi nuk e di, mirëpo normal që Glauku u ndie keq se pak a shumë e kish një dakordim me shefat e grupeve parlamentare, dhe ne këtë e bëjmë shpesh, dhe kjo nuk ndodhi. Në esencë kjo shpërfaq diçka tjetër, shpërfaq një arrogancë të numrave që po tkurren dhe vendimmarrjen në kuvend”, theksoi ai në T7.