Qyteti i Izyum ishte një nga pikat më të rëndësishme të rimarra nga forcat ukrainase, duke përfituar nga tërheqja e trupave ruse.
Sot në qytetin që para luftës kishte 45 mijë banorë, erdhi edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, shenjë që situata edhe në rrethinat e tij është e qetë dhe në kontroll total të Kievit.
“Pak ditë më parë, kur donim të shihnim ngjyrën blu, drejtoheshim drejt qiellit, sot shohim kudo flamurin e Ukrainës.
Flamuri verdheblu valëvitet në Iziumin e çliruar”, ishin fjalët e presidentit, që në fjalimin e tij përpara trupave dhe përfaqësues të popullsisë lokale, shkoi edhe më tej:
“Banorëve të Krimesë i them, po vijmë!”.Forcat ukrainase kanë fituar pothuajse 10 mijë kilometra katrorë në pak më shumë se një javë, në verilindje të Ukrainës, duke përfituar nga një hapësirë e lënë të pakontrolluar nga forcat ruse, por veçanërisht nga armatimet perëndimore që kanë ekuilibruar deficitin fillestar.