Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë të përbashkët me ministrin e Financave, Hekuran Murati, ka prezantuar pakon prej 150 milionë eurove, që kanë paraparë për luftimin e inflacionit.
Kurti njoftoi se nga kjo pako do të përfitojnë sektori publik, ai privat, pensionistët dhe studentët.
“Për pensionistët ndajmë shumën e përhershme me 100 euro. Punësimin dhe punëtorët i kemi prioritet. Për zyrtarët publik do të ndajmë shtesën prej 50 euro, kurse për punëtorët e ndërmarrjes publike do të ndajmë shtesën prej 100 euro”, njoftoi ai.
Kryeministri Kurti bëri të ditur, po ashtu, që do të dyfishojë shumën e asistencës sociale për një muaj tek familjet me asistencë sociale.
“Do të mbështesim secilin biznes që rrit pagat e punëtorëve, duke subvencionuar 50 për qind të rritjes së pagës në maksimum prej 100 eurosh tre muajt e parë”, bëri të ditur më tej kryeministri.
“Për studentët e Republikës do të ndajmë shumën prej 100 eurosh, në muajin nëntor”, tha ndër të tjera i pari i ekzekutivit.