Qeveria e Kosovës ka ndarë të mërkurën 100 euro më shumë për muajin tetor për pensionistët.
Ndarjen e këtyre mjeteve në kuadër të Pakos për përballje me inflacionin po e kritikojnë njohës të ekonomisë.
Ish-Ministri i Financave, Haki Shatri, tha se një shumë e tillë nuk e zbut situatën me çmimet e larta në vend.
“Secili produkt është shtrenjtu për 20 %. Këto 100 euro janë asgjë për t`i bërë ballë inflacionit. Mjaftojnë veç me i shty dy a tri ditë”, u shpreh Shatri për “Front Online”.
Ekonomisti Imer Raçi druan madje se lëshimi i tillë i parave në treg mund ta përkeqësojë akoma më shumë situatën.
“Nuk është e mjaftueshme që vetëm me lëshim të parave në treg të mundohemi që qytetarëve t’u vimë në ndihmë për përballjen e inflacionit sepse çdo para e lëshuar në treg mund të ketë edhe efekte negative pra të ndikojë në rritjen e çmimeve për nivelin e parave të lëshuara në treg, pra me thjeshtë ‘’një zero më shumë tek çmimet dhe pagat paraqet zero rritje të standardit të jetës’’”, theksoi ai për “Front Online”.
Ky thotë se inflacionit mund t`i bëhet ballë duke ua rritur pagat qytetarëve.
“Rritja e pagave është tejet e nevojshme për qytetarët. Mirëpo, kjo rritje duhet të përcillet me përcaktimin e çmimeve tavan për produktet bazike për jetë sepse ata po shënojnë rritje edhe kur kosto e prodhimit të tyre nuk ka shënuar rritje”, deklaroi Raçi për “Front Online”.
Pos shtesave për pensionistët, Pakoja për përballje me inflacionin parasheh edhe nga 50 euro shtesa në muaj për punëtorët e sektorit publik deri në fund të vitit dhe shumë të përnjëhershme prej 100 eurosh për studentët.