Lidhjet e dashurisë që krijojnë vajzat, sidomos në moshë të re, jo gjithmonë gjejnë përkrahjen e familjarëve të tyre. Madje në shumë raste, baballarët e vëllezërit tentojnë që me anë të forcës t’i bindin ato që t’u japin fund lidhjeve.
Sherri me vëllain e të dashurës së tij e ka zënë edhe një të mitur në Fushë Kosovë.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 17-vjeçari nëpërmjet Snapchat-it i ka kërkuar të dashurit të motrës së tij që të takohen për të qëruar hesapet te një pompë e derivateve në Fushë Kosovë.
I dyshuari me vete kishte marrë edhe një shoqërues dhe që të dy ishin pajisur me armë e mjete të tjera të forta, me të cilat siç duket kishin synim ta sulmojnë të miturin.
Njësitë policore kanë arritur që t’i ndalojnë të dyshuarit dhe gjatë kontrollit atyre u janë gjetur thika, shkopinj druri, armë, karikator e fishekë. Të gjitha mjetet janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale, ndërsa të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit të hetohen në liri për veprat penale ‘Kanosje’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.