23-vjeçarja në Pejë kapet me drogë, shoqërohet në Polici

Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare.

Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike, shkruan Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është zbuluar mbrëmë pas mesnate te parku i qytetit në Pejë, ku një 23-vjeçare është ndalur për kontroll nga një njësi policore që po patrullonte në atë zonë.

Sinjali mëson se gjatë kontrollit trupor, tek e dyshuara është gjetur dhe sekuestruar një sasi e substancës së dyshuar narkotike e llojit marihuanë.

E dyshuara është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe me urdhër të prokurorit ndaj saj është iniciuar rasti për veprën penale ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *