Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit Milan Bozhoviq.
Bozhoviq është i njohur për institucionet e sigurisë, pasi akuzohet për plagosje të zyrtarëve policorë si dhe për zjarr-vënie të veturave me targa të Republikës së Kosovës (RKS) në veri të vendit.
Prandaj, Gjykata tregoi se ai dyshohet për veprat penale “pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “vrasje në tentativë”, “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, “sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare si dhe për “zjarr-vënie”.
Sipas njoftimit, gjyqtari i procedurës paraprake e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin M.B dhe të njëjtit ia ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
Kësisoj, Gjykata bëri të ditur se paraburgimi ndaj të pandehurit llogaritet prej kohës së ndalimit dhe atë prej 1 prillit deri më 1 maj.
“Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Prishtinës, dërguar mediave.
Bozhoviq ishte arrestuar të shtunën nga Policia e Kosovës dhe këtë e kishin quajtur provokim të kryeministrit Albin Kurti, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq dhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
“Është e qartë se Kurti po kërkon një mënyrë për të shkaktuar incidente që do të shkaktonin një reagim të ekzagjeruar të serbëve, e ai të shmanget nga obligimet e tij”, tha Petkoviq në një konferencë për media, të mbajtur të dielën, transmeton Paparaci.
Kurse Rakiq, ka paralajmëruar protesta të serbëve nëse nuk lirohet Bozhoviq, i cili ishte arrestuar të shtunën.
Por qëndrimet e Petkoviqit e Rakiqit, Blerim Vela, shefi i stafit në kabinetin e presidentes Vjosa Osmani, i pati quajtur kërcënime.
“Kreu formal i Listës Serbe, Goran Rakiqi, përkrah Petkoviqit, kërcënon me ‘rezistencë dhe kryengritje’ në Kosovë. Megjithatë, asnjë fjalë dënimi nga Petkoviqi për djegien e veturave të serbëve vendas! Serbia dhe LS-ja kërcënojnë me dhunë. Ata do të jenë përgjegjës për çdo përshkallëzim në terren”, kishte thënë Vela.
Një reagim ndaj Listës Serbe dhe Beogradit zyrtar e kishte pasur edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.
Ai deklaroi se thirrja e Rakiqit për “kryengritje” dhe “rezistencë” është vepër e rëndë penale.
“Republika jonë do të mbrohet në çdo cep dhe nuk ka organizim kriminal që mund të sfidojnë zyrtarët e vendit tonë”, pati thënë Sveçla në një përgjigje ndaj tyre.
“Nuk është hera e parë që sulmojnë, por për shumë grupe kriminale këto akte mbeten dhe të fundit. Sado zell të kenë grupet e tilla për destabilizim dhe kërcënim, zelli dhe vullneti për mbrojtjen e rendit publik nga institucionet tona është i pamatshëm dhe i parezervë”.
Sveçla kishte treguar në detaje se kush është Milan Bozhoviqi.
“Figurë e njohur për institucionet e sigurisë, si kriminel, pjesëtar aktiv i strukturës ilegale“Mbrojtja Civile” dhe grupeve të tjera kriminale. I njëjti po konsiderohet si hero për strukturat e Serbisë që e kanë dirigjuar. Për shkathtësitë e treguara në veprime kriminale ai është edhe ndër bashkëpunëtorët e ngushtë të Milan Radoiçiq”, kishte shkruar Sveçla në Facebook.
Në anën tjetër, Institucionet e Kosovës, i quajtën frikësim ndaj qytetarëve këto sulme të fundit në veri të vendit, që mos të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të 23 prillit.
Zgjedhjet janë planifikuar të mbahen në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Në këto zgjedhje nuk do të marrë pjesë Lista Serbe, për çka bashkësia ndërkombëtare ka shprehur keqardhje.