Një person ka përfunduar në prangat e Policisë së Kosovës në Ferizaj, pasi që dyshohet se ka sulmuar fizikisht një fëmijë.
Sinjali mëson se rastin në Polici e ka denoncuar babai i 13-vjeçarit, i cili ka deklaruar se djali i tij është rrahur brutalisht nga fqinji i tyre.
E gjithë ngjarja dyshohet se ka ndodhur pasi disa fëmijë kanë qenë duke luajtur në rrugë, e që si duket i kanë penguar 56-vjeçarit të dyshuar i cili u kishte bërtitur atyre me zë të lartë.
Nga frika, fëmijët kanë ikur që aty, por jo edhe viktima. 56-vjeçari dyshohet se ka sulmuar fizikisht të miturin duke e goditur me grushte e shqelma, me ç’rast i ka shkaktuar atij lëndime trupore.
Si pasojë e dhunës, i mituri ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që i dyshuari është arrestuar nga Policia.
Pas intervistimit, prokurori ka urdhëruar që 56-vjeçari të ndalohet për 48 orë dhe i njëjti të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.