Vonesa e borxheve shkakton telashe të shumta mes qytetarëve të cilët kanë raporte të afërta me njëri-tjetrin. Si rrjedhojë e kësaj krisen miqësi e lidhje familjare, e shpesh herë lindin edhe konflikte të cilat pasojnë me kërcënime e konfrontime fizike.
Një rast i tillë ka ndodhur dje në Kllokot, ku një person dyshohet se ka sulmuar fizikisht një person të moshuar për shkak të një borxhi.
Sinjali mëson se i dyshuari kishte shkuar te lokali i viktimës me të cilin ka pasur një konflikt për një borxh prej rreth 50 eurove.
Në sherrin që kishte nisur mes tyre, kanë ndërhyrë vizitorët e Banjës së Kllokotit, të cilët kanë arritur që t’i ndajnë ata.
68-vjeçari ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se gjatë kohës që po qëndronte në afërsi të veturës së të dyshuarit, ka vërejtur se ai ka një armë zjarri, të cilën për shkaqe sigurie e ka futur në lokalin e tij.
Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes ku kanë gjetur dhe sekuestruar armën në fjalë, ndërsa të dyshuarin e kanë shoqëruar në stacion policor.
Me urdhër të prokurorit, ndaj 37-vjeçarit është iniciuar rasti për veprat penale ‘Sulm’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.