Sharr Jakupi, shef i stafit në kabinetin e ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, ka dalë me një njoftim të rëndësishëm për të gjithë qytetarët që po udhëtojnë drejtë Kosovës.
Sipas tij, në territorin e Serbisë, në afërsi të pikave kufitare në Jarinje dhe në Merdare, për shkak të protestave që po mbahen, nuk është i mundur kalimi i autobusëve dhe kamionëve që vijnë nga Kosova.
Jakupi theksoi se nuk është i sigurt për momentin as kalimi i veturave.
Ai i bëri thirrje qytetarëve që t’i përdorin pikat kufitare në Mutivodë, Dheu i Bardhë apo rrugët përmes Maqedonisë Veriore.
“Nëse keni hyrë tashmë në Serbi, atëherë ju lutemi t’i përdorni pikat kufitare ne Mutivodë, Dheu i Bardhë ose të merrni rrugë përmes Maqedonisë së Veriut (pikë-kalimi kufitar i Preshevës) përmes Shkupit”, shkroi ai në Facebook.
“Nëse nuk keni hyrë tashmë në Serbi, ju lutemi, mos udhëtoni përmes Serbisë. Duke marrë parasysh faktin që janë në qarkullim shumë lajme të rreme, të cilat synojnë përhapjen e frikës, ju lutemi të ndiqni @Kosovo_Police rreth përditësimeve më të fundit zyrtare në këtë drejtim”.
Paparaci raportoi sonte se disa serbë i kanë bllokuar rrugët në drejtim të pikave kufitare nga Serbia për në Kosovë.
Ata e kanë bllokuar edhe rrugën në drejtim të pikave kufitare prej Serbisë në Kosovë. Këtu përfshihen edhe pengesat për automjetet transportuese të mallrave, përveç veturave dhe autobusëve.
Disa qytetarë, kanë treguar për Paparacin se në pikë-kalimin kufitar në Merdare, serbët nuk kanë lejuar të hynë autobusët dhe disa automjete prej Kosovës.