Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka sqaruar se çka parashihet me Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti, që u miratua sot në Qeveri.
Murati ka përmendur rastet e shumë pensionistëve që, për pak muaj ose vite, s’ kanë arritur ta përmbushin kriterin e 15 viteve kontribute dhe të marrin pension kontributiv, për shkak se ishin larguar dhunshëm nga puna në fillim të viteve 90-ta,.
Sipas Muratit, me këtë me këtë ndryshim të ligjit, ata që kishin kontribute, dhe se nëse nuk do të largoheshin dhunshëm nga puna do të mund ta arrinin kushtin prej 15 vite kontribute deri më 01.01.1999, do të mund të kalojnë në skemën e pensionit parcial kontributiv të moshës. Periudha pas largimit nga puna e deri më 1999 do t’u njihet si stazh, raporton Express.
“Pra, periudha pas largimit nga puna e deri më 1999 njihet si stazh për qëllime të plotësimit të kushtit 15 vite, ndërsa lartësia e pensionit parcial kontributiv do të përcaktohet duke marrë si bazë vitet e kontributeve të paguara.
Me fjalë tjera, nëse dikush ka pasur 14 vite kontribute kur është larguar nga puna, dhe tash merr vetëm 100 euro, me ligjin e ri i njihet periudha pas largimit nga puna, dhe arrin në 23 vite, gjë që e plotëson kushtin 15-vjeçar. Me plotësimin e këtij kushti, pensionisti mund të kalojë në skemën e pensionit parcial kontributiv, ku do të mund të përfitojë pension sipas viteve që ka kontribuar, në këtë rast, për 14 vite”, ka shkruar Murati.
Ministri ka thënë se janë rreth 70 mijë pensionistë që pritet të përfitojnë nga ky ligj.