Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. E në shumë raste konfliktet eskalojnë në ofendime e kërcënime, me ç’rast nevojitet ndërhyrja e Policisë, raporton Gazeta Sinjali.
Një konflikt familjar ka ndodhur dje në Malishevë, ku sebep për zënkën mes babait dhe djali të tij 20-vjeçar u bënë disa para.
20-vjeçari ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se e ka dëgjuar babanë duke thënë se do ia presë kokën me sëpatë dhe si rrjedhojë s’ka pasur guxim të shkojë në shtëpi.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku ka mohuar të ketë thënë një gjë të tillë.
Me urdhër të prokurorit, ai do të hetohet në liri për veprën penale ‘Dhunë në familje’.