Qeveria e Kosovës ka miratuar sot propozim-vendimin e Ministrisë së Financave për shtimin e një mase të re në kuadër të masave për Mbështetjen e Punësimit.
Bazuar në propozimin e ministrit Hekuran Murati, personat e papunë do të kenë mundësi të angazhohen si punonjës në procesin e regjistrimit të popullsisë që pritet të nisë këtë vit.
Murati tha se personat e papunë do të kenë përparësi në këtë proces punësimi të përkohshëm.
“Pika e radhës [e rendit të ditës] ka të bëjë me shtimin e një mase të re në kuadër të masave për mbështetjen e punësimit në ofrimin e shërbimeve publike dhe synimi është që përgjatë procesit të regjistrimit, të mundësojmë punësimin e personave të papunë dhe t’i angazhojmë në procesin e regjistrimit”, tha ministri Murati.
“Pra, sado pak, personat që janë të papunë në Republikën e Kosovës të angazhohen qoftë edhe përkohësisht, në mënyrë që të ndihmojnë në ofrimin e shërbimeve publike dhe të angazhohen përkohësisht”, tha ai.