Shtatë pacientë më influenca të grupit të derrit (AH1N1) dhe një me Covid-19, janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Kështu tha për Insajderin drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj, i cili ka theksuar se gjendja e tyre është stabile”.
“Në Klinikën e Infektives janë duke u trajtuar 7 pacientë me Influenza AH1N1 dhe 1 pacient me Covid-19. Gjendja e pacientëve është stabile. Dhe e kemi një pacient që është duke u trajtuar në Mjekim Intenziv nga AH1N1 dhe është me parametra kliniko-laboratorike stabile”, ka thënë Vishaj.
Ai ka sqaruar se numri i pacientëve që janë duke ardhur në këtë periudhë kohore është mjaft i madh.
“Kemi vërejtur një fluks të madh të pacientëve në këtë periudhë kohore në ambulancën e pranimit me simptomatologji të virozëve të traktit respirator, por kërkesa për spitalizim nuk është e madhe”, shtoi ai.