Zënkat mes qytetarëve kosovarë janë të shpeshta. Ngatërresat mes tyre shpesh herë eskalojnë në ofendime, kërcënime e sulme fizike ndaj njëri-tjetrit. Për një rast të tillë ka nisur hetimet Prokuroria Themelore në Gjakovë, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se një burrë ka denoncuar në Polici se është kërcënuar dhe është sulmuar fizikisht nga një person.
Sipas dëshmisë së tij, gjithçka ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në rrugën ‘Gjon Nikoll Kazazi’, ku posa kishte dalë nga furra e bukës, ka hasur në të dyshuarin i cili e ka kërcënuar dhe e ka sulmuar fizikisht duke e kapur për fyti.
Njësitë policore me të marrë informatën janë vënë në veprim, ku kanë kërkuar të dyshuarin në vendbanimin e tij, mirëpo i njëjti nuk është gjetur aty.
Nuk ka vonuar shumë dhe 46-vjeçari është dorëzuar në stacion të Policisë dhe është intervistuar nga hetuesit policorë.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është iniciuar rasti ‘Kanosje’ dhe ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.