Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se tendencat e presidentit Aleksandër Vuçiq, për të frikësyar serbët që jetojnë në Kosovë, po vazhdojnë ende, derisa ka njoftuar se një polici serb i është djegur vetura me targa RKS, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Përmes një postimi të bërë në Facebook, Sveçla gjithashtu ka thënë se edhe në mëngjes është djegur një depo e një qytetari serb në Komunën e Zveçanit pasi e kishte regjistruar veturën e djalit të tij.
“Të dyja rastet janë ftesë e hapur për të luftuar institucionet e Republikës së Kosovës. I bëjmë thirrje Vuçiç që të ndalojë së mbështeturi strukturat ilegale kriminale me aktet e tyre të dhunshme dhe terroriste ndaj qytetarëve besnikë të Republikës së Kosovës”, ka shkruar mes tjerash ministri i Punëve të Brendshme.
Postimi i plotë:
Tendencat e Vuçiç për të frikësuar qytetarët serb që jetojnë në Kosovë po vazhdojnë. Sot një tjetër oficer serb i Policisë së Kosovës është sulmuar nga strukturat ilegale të cilët i kanë djegur veturën pasi e regjistroi me targa legale të Republikës së Kosovës.
Njejtë, sot në orët e hershme të mëngjesit është djegur depo e qytetarit serb në fshatin Grabovc të Komunës së Zveçanit pasi e kishte regjistruar veturën e djalit të tij.
Të dyja rastet janë ftesë e hapur për të luftuar institucionet e Republikës së Kosovës. I bëjmë thirrje Vuçiç që të ndalojë së mbështeturi strukturat ilegale kriminale me aktet e tyre të dhunshme dhe terroriste ndaj qytetarëve besnikë të Republikës së Kosovës.
Të gjtha institucionet janë të angazhuara në zbardhjen e këtyre rasteve. Jemi më të vendosur se kurrë që rendi dhe ligji të shtrihet në çdo cep të Republikës së Kosovës. Kurrfarë veprimi kriminal i fallangave të Vuçiç nuk do të tolerohet dhe do të luftohet me të gjitha mjetet ligjore dhe demokratike.