Zgjidhje nuk u gjet në takimin fizik e as në atë online ndërmjet përfaqësuesve të shtetit dhe sindikatave.
Grevat me gjasë do të vazhdojnë edhe javën tjetër, por brenda gjithë këtyre diskutimeve për ndërprerjen e grevës në arsim doli një propozim i ri, por i cili nuk u pranua nga Këshilli Grevist
Pasi që ditën e premte Qeveria dhe Këshilli Grevist nuk arritën marrëveshje, aty u dha një propozim.
Si masë sindikale, sipas kryetarit të komisionit për arsim, duhet të përdoret mosvendosja e notave nga ana e mësimdhënesve.
Madje pas përfundimit të takimit, aty u pa një entuziazëm për këtë propozim.
Por, refuzimi i këtij propozimi u kumtua pastaj në mbledhjen virtuale që u mbajt në orët e mbrëmjes.
Nga SBASHK-u kanë thënë se 663 shoqata sindikale kanë qenë kundër këtij propozimi, 39 e kanë pranuar, ndërsa 35 të tjera nuk janë deklaruar.
Por ai që propozoi ka një dyshim për formën se si janë pyetur këto shoqata sindikale.
“Shqetësimin që e kanë ngritur shoqatat sindikale për propozimin se ky propozim ka qenë për të vu përqarje, është anti ligjor etj, etj. Dhe ky konceptim është përfshirë në mënyrën se si është shtruar pyetja “a jeni për këtë propozim i cili konsiderohet të jetë antiligjor dhe i cili po bëhet për të futur përqarje në unitetin sindikal dhe normalisht këto mësimdhënësit munden me i fut në pozita sugjestive”, ka thënë Gola.
Propozimin e Golës po e mirëpret eksperti i arsimit, Rinor Qehaja.
“Interesi i të gjithëve është që të gjejmë çfarëdo modaliteti që të I bënë mësimdhënësit të kthehen në proces mësimor në të njëjtën kohë e vazhdon dialogun social”, ka theksuar Qehaja.
E dëmi i shkaktuar këto tre javë, sipas tij, është i pakthyeshëm.
“Ky shtator i humbur nuk mund të zëvendesohet në një asnjë moment asnjëherë, këto orë të humbura që në terësi janë 10% e planit mësimor veshtirë që mund të kompensohen dhe e njejta do të na kthehet sikur një mësimnxënje e dështuar për nxënësit tanë”, ka shtuar ai.
Nëse nuk gjendet zgjidhje ndërmjet Qeverisë dhe Sindikatave java e tjetër do të jetë e katërta me radhë pa mësim për nxënësit.