Një konflikt verbal dyshohet se ka eskaluar mbrëmë në përdorim të armës në diskotekën “Opera” në Graçanicë, ku një person është plagosur me armë zjarri, teksa i dyshuari nuk është kapuri.
Për pasojë, viktima ka kërkuar ndihmë mjekësore në Emergjencën e Spitalit në Graçanicë. Mësohet se Policia është njoftuar për rastin pasi viktima është dërguar në spital për trajtim, me ç’rast një patrullë policore ka marrë deklaratën e tij.
Siç mëson Sinjali, viktima është një 55-vjeçar nga Lipjani, i cili ka qenë në këtë diskotekë, në momentin kritik. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur brenda hapësirave të diskotekës, ku Policia tashmë ka siguruar pamjet nga kamerat e sigurisë që do të zbardhin në plotni rrethanat e ngjarjes.
Burimet nga Prokuroria kanë njoftuar se me urdhër të Prokurorit të Shtetit kanë nisur hetimet për tentim vrasje, ndërsa i dyshuari ende nuk është identifikuar.