Përleshjet fizike në të cilat përfshihen të rinjtë janë të shpeshta në vendin tonë. Vazhdimisht raportohen raste në Polici, por edhe nga qytetarët për rrahje mes qytetarëve, të cilat në shumë raste kanë përfunduar tragjikisht. Kjo është shndërruar në një dukuri shqetësuese duke u rrezikuar kështu siguria publike, raporton Gazeta Sinjali.
Në një rrahje brutale janë përfshirë edhe gjashtë të mitur të moshave 15-16 vjeç në Bulevardin e Dëshmorëve në Podujevë, ku si pasojë, katër nga ta kanë kërkuar ndihmë mjekësore si pasojë e lëndimeve të marra.
Sinjali mëson se motivi që i parapriu përleshjes, është një mosmarrëveshje verbale që kishin mes vete katër të dyshuarit.
Pas marrjes së tretmanit mjekësor, gjithë personat e përfshirë në rast janë shoqëruar në stacion policor ku janë intervistuar në praninë e prindërve.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 24 orësh dhe të njëjtit të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.