Një mosmarrëveshje mes disa personave përfundoi me përleshje fizike, ku përpos grushteve u përdorën edhe mjetet e mprehta dhe si pasojë një person mbeti i plagosur mbrëmë pas mesnate në rrugën ‘Ahmet Kçiku’ në qytetin e Ferizajt.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se në rast janë përfshirë disa persona, ku disa prej tyre kanë ikur menjëherë nga vendi i ngjarjes.
Ndërkohë personat tjerë të përfshirë janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar në hollësi për të gjitha detajet që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Ndërsa 49-vjeçari që u ther me thikë, ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital dhe më pas i njëjti është intervistuar nga hetuesit policorë.
I dyshuari për therjen e viktimës është identifikuar dhe ndaj tij kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që 38-vjeçarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh, ndërsa personat tjerë të përfshirë në rast janë liruar.