Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në një reagim të ditës së djeshme, mes rreshtave e përmendi edhe AAK-në.
Mesazhet drejtuar Agim Veliut dhe Skender Hysenit dhe krahisimi me AAK-në, siç duket e kanë prekur jo pak partinë e Ramush Haradinajt.
Abdixhiku e përmendi gjendjen në të cilën këta dy zyrtarë e kishin sjellur LDK-në, duke e krahasuar me AAK-në sa i përket rezultatit zgjedhor.
Lidhur me këto deklarata, për Sinjalin ka folur deputeti i AAK-së, Bekë Berisha. Ai e ka quajtur të papjekur politikisht Abdixhikun duke ia kujtuar se shteti nuk bëhet me konferenca për shtyp.
“Pragmatizmin dhe qëndrueshmërinë tonë dhe sakrificën për atdheun e kemi obligim sepse shteti nuk bëhet me konferenca për shtyp. Lumiri do ta kuptoj kur të pjeket politikisht”, shprehet Berisha.
Ai është shprehur gjithashtu se në një kohë ekzistonte një frikë edhe brenda AAK-së se mund të binin siç thotë ai në nivelin e LDK-së
“Është dëshmuar se jemi të pakompromis në këtë aspekt për shkak të qëndrimeve pragmatike, të forta por të nevojshme. Nuk jemi shpërbly me votën e shumicës. Një periudhë të vështirë që kemi kaluar si popull kam pas frikë se po biem në nivelin e LDK-së dhe jam mërzitur shumë.”, përfundoi ai për Sinjalin.
Një reagim të menjëhershëm e kishte edhe zëdhënësi i AAK-së, Lulëzim Blaka, i cili me një gjuhë të ashpër i’u drejtua Abdixhikut se ky i fundit është një ‘parashutist’ dhe se nëse nuk ka ‘këllçe’ t’i bëjë opozitë Albin Kurtit, mos të merret me AAK-në.
“Lumir Abdixhiku, një “parashutist” në LDK, është mirë që përplasjet që i ka brenda partisë, t’i zgjidhë brenda oborrit të vet, e të mos kruhet me Aleancën. Nëse atij po i lëkundet karrika në zgjedhjet e brendshme që i ka, apo nëse s’ka këllçe t’i bëjë opozitë Albin Kurtit, ne nuk i kemi faj. Mere veten me të mirë o Lum Lumiri!”, ka shkruar në profilin e tij në Facebook, Lulëzim Blaka, zëdhënës i AAK-së.