Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica, në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” ka folur në lidhje me tërheqjen e mjeteve nga Trusti.
Korenica ka thënë se ende nuk kanë diskutuar si Grup Parlamentar në lidhje me këtë çështje pasi ende nuk ka ardhë në komision.
“Pasi të sillet në Kuvend do të vendosim aty si do të shkojë tutje. Si Grup parlmentar ende nuk është shqyrtu sepse ende nuk ka ardhë në Komision kërkesa prej pas përfundimit të peticionit. Pa ardhë në diskutim s’mundem të të jap përgjigje” tha shkurt Korenica.
”I pavendosur në lidhje me vendimin për tërheqjen e 30% të Trustit duket se është edhe deputeti tjetër nga radhët e VV-së, Eman Rrahmani.
Rrahmani tha shkurt për “Gazeta Blic” se ende nuk ka vendosur diçka.“Nesër e shohim se ç’ka është, nuk është se kam vendos diçka” tha ai.
Edhe deputeti i partisë “Guxo” si pjesë e Grupit Parlmentar të LVV-së, Burim Meta deklaroi se ende nuk ka marrë vendim nëse do të votojë pro apo kundër për tërheqjen e kursimeve pensionale.“S’kam vendos akoma për Trustin”, tha Meta.
Tërheqja e 30% të mjeteve nga Fondi i Kursimeve Pensionale do të diskutohet në takimin e nesërm të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere.Këtë e ka konfirmuar për “Gazeta Blic” iniciuesi i nismës qytetare Adnan Jashari.
Jashari tha se shpreson se anëtarët e komisionit do të votojnë PRO kësaj iniciative, e që më pas do të shkojë në Kuvend për debat dhe më pas do të hidhet në votim.“Nuk kam informacione se si mund të votojnë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të minoriteteve, por shpresoj që të votojnë “PËR”, tha Jashari.
Ky është tentimi i dytë për lejimin e tërheqjes së 30 për qind nga Trusti, hera e parë kishte dështuar në Kuvend e që ishte nismë e deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu.Para se komisioni për Buxhet të diskutojë nesër për Trustin, ka pasur edhe një protestë e organizuar nga iniciuesi, Adnan Jashari para Qeverisë e Kuvendit duke bërë thirrje që nisma të kalojë në seancën plenare të Kuvendit që do t`i hapte rrugë më pas tërheqjeve të parave.
Aktualisht Trusti ka mbi 170 milionë humbje.