Mjeku i Spitalit të Përgjithshëm të Pejës, dyshohet se të hënën ka sulmuar fizikisht një punëtor të spitalit.
Rasti është hapur në polici,mësohet se mjeku i cili dyshohet që e sulmoi punëtorin është Besnik Ibraj.
Ibraj sipas burimeve të ” indeksonline”, është emëruar ushtrues i detyrës së drejtorit të mjekëve në pozitën të cilën e kishte ushtruar mjeku Muhamet Haliti, i cili është suspenduar pas rastit të foshnjës në Pejë.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi. Ai tha se rasti është hapur si “lëndim i lehtë trupor”.
“Dje rreth orës 13:44 një punëtor i Spitalit Rajonal ka ardhur dhe e ka njoftuar policinë se është sulmuar nga një mjek në Spitalin Rajonal në Pejë. Policia menjëherë ka dal në vendin e ngjarjes, i ka intervistu viktimën, dëshmitarët dhe të dyshuarin. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i cili ka udhëzuar që të iniciohet rasti “lëndim i lehtë trupor”. Rasti është duke u hetuar nga njësiti kompetent policor”, u shpreh Gashi.
Gashi shtoi se motivi që çoi deri te sulmi fizik ishte “rreth një mosmarrëveshjeje, për orar të punës”. Sipas tij, viktima ka pranuar trajtim mjekësor.