Një ngjarje e rëndë tronditi sot Fushë Kosovën.
Dy gra u plagosën nga një person i dyshuar, i cili menjëherë u largua në një drejtim të panjohur.
Indeksonline ka raportuar se viktimat e kësaj plagosjeje, Fatime Gashi dhe Merita Avdiu, pësuan plagë të rënda si pasojë e të shtënave.
Të njëjtave iu ofrua ndihma e parë nga një kirurg vaskular, i cili kishte rastisur të jetë prezent në vendngjarje.
Ramë Gashani, është mjeku që u ofroi atyre ndihmë, deri në arritjen e njësiteve policore dhe atyre të ndihmës së shpejtë.
Ai ka rrëfyer për Indeksonline se kishte rastisur të jetë disa metra pranë vendngjarjes, duke i shoqëruar fëmijët e tij në veturë, kur kishte dëgjuar për rastin.
Me të marrë informatën, Gashani kishte vrapuar drejt vendit të ngjarjes, ku së pari pohon se tentoi të ndalojë gjakderdhjen e të dy viktimave.
“Të dy viktimat kanë qenë në vetëdije. Nëna ka pasur gjendjen pak më të rëndë. Kemi fillu me e ndalë gjakderdhjen me kompresion. Nëna insistojke që të merremi më shumë me çikën e saj, meqë ishte e re. Filluam me trajtimin edhe të çikës së saj. Ajo ishte e lpënduar ne të dy duart, plagë ka në të dy duart. Gjakderdhjen duhet me e ndalë me kompresion. Përreth lypa diçka, por nuk gjeta. Fatmirësisht, viktima e kish pasë një lloj litari në kapelën e saj, të cilën ia largova prej kapelës e ja lidha me të të dy duart, për me ja ndalë gjakderdhjen. Kërkuam prej njerëzve prezent një batanije ose diçka e ngjashme, se në kësi lloj lëdnimesh pacientët humbin gjak se zakonisht iu bie temperatura, e kur t’iu bie temperatura, gjendja shkon duke u përkeqësu.
Në pamundësi për me bo diçka tjetër për me e parandalu këtë, kërkojshim diçka që me mbulu për me parandalu uljen e temperaturës. U shërbyem me batanije nga disa restorante pranë dhe i kemi mbulu viktimat. Aty kemi pritë derisa kanë ardhë policia, të cilët e kanë kufizu zonën, e menjëherë ka ardhë ndihma e shpejtë.
Nëna ishte në gjendje më të rëndë dhe kishte gjakderdhje më të madhe, kemi kërku qe atë me e marrë prioritet ekipa emergjente, e cila ka ardhë me mjekun dhe teknikët. Ajo ka pasë plumba në këmbën e djathtë dhe në bark.
Fatmirësisht kanë ndërhy shpejt në QKUK, e kanë shti në sallë dhe kanë intervenu ekipet kirurgjike… Unë kam insistu që nëna me shku më përpara në emergjencë se ajo e ka pasë gjendjen më të rëndë. Ishte e zbehur dhe e lodhur… Ne nuk i patëm infuzionet e kompensimin me e bë me lëngje, kështu që u munduam që më së pari me e ndalu gjakderdhjen edhe gjatë gjithë kohës me komuniku me pacientet, që mos me leju me iu humbë vetëdija edhe mos me iu ulë temperatura trupore”, përfundoi Gashani.
Ai uroi që raste të tilla të mos ndodhin më.
Ndërkohë, viktimat e këtij sulmi me armë raporothet që tashmë kanë gjendjen stabile dhe janë jashtë rrezikut për jetë.